Mëngjesi i sulmit të planifikuar

Vërejtje e redaktorit: Në disa raste në këtë raport emrat e viktimave dhe kriminelëve janë ndërruar me qëllim të ruajtjes së identitetit.

ME NGRITJEN E DIELLIT mbi fshatin në perëndim të Kosovës, Qyshk, më 14 maj të vitit 1999, ishte një nga ato mëngjeset me lagështi dhe pa shumë erë, që paralajmëronin se përpara fshihej një ditë përcëlluese. Draganin, paramilitar serb, nuk mund ta zinte vendi vend. Ai ishte duke u sorollatur nëpër fushën me barë të dendur që nga dita e kaluar kur ai bashkë me disa luftëtarë të tjerë ishte urdhëruar të shkonin në afërsi të Qyshkut dhe u ishte thënë që të përgatisin një sulm mbi këtë fshat kryesisht të banuar nga shqiptarët.

Dragani është një ish-ushtar jugosllav, i cili kishte luftuar në Kosovë me njësitin militar të vetëquajtur "Brigada Cara Dusana" (Brigada e Car Dushanit), që kishte marrë pjesë në masakër. Ai tregon se kishte urrejtur këto çaste të pritjes që kishin ndërprerë kënaqësinë e adrenalinës që i punonte para se të rrëmbehej në ndonjë betejë. Gjatë kësaj kohë të ankthshme ai pinte pambarimisht shumë cigare, tregonte barcoleta të fëlliqura që kanë të bëjnë me shqiptarët dhe ndjellte vdekjen - sigurisht se jo të veten.




Një banor i Qyshkut viziton shtëpinë ku babai së bashku me kushërinj të tjerë të tij ishte vrarë dhe djegur. Ky burrë gjatë sulmit ishte fshehur në pyll. Ai ishte kthyer për të varrosur të mbeturat e 35 kushërinjve dhe fqinjëve.

(Foto: Stephen Smith)
"Pritëm tërë natën që të na jepej sinjali për të sulmuar", thotë ai, gjersa sytë pak të dalur nga fytyra e tij e thatë shikojnë në një pikë ta papërcaktuar në largësi. "Ishte një ngrënie nervash... Gjëja e vetme për ta harruar gjakun ose vdekjen është që t'i trajtosh ato sikurse një ndeshje futbolli. Dhe gjëja e vetme që duhet bërë është që të fitohet kjo ndeshje", shprehet ai.

"Më të zbardhur ne më në fund morëm urdhërin për të ecur para".

Plumbat e parë që kishin ushtuar në qiellin e kaltër të mesit të majit i kishin prishur gjumin Lules, një vajze 27 vjeçe, e cila ndodhej në shtëpinë e familjes që ndodhet në qendër të Qyshkut.

"Dola jashtë, ashtu siç isha, me pizhame", kujtohet ajo. "Pashë një burrë nga fshati jonë duke rendur. Pashë tym dhe flakë, po ashtu. Komshinjtë më thanë se serbët po vranin dhe po digjnin... kështu që unë shkova në shtëpi dhe zgjova prindërit, xhaxhain dhe fëmijët".

Sulmi tashmë kishte filluar. Militarët e kombinuar ishin nisur drejt fshatit, që për dallim nga vendbanimet e tjera përreth, ishte kursyer nga ndjekjet dhe vrasjet deri më atë ditë.

"Ushtarët kishin fytyrat të ngjyrosura, kurse disa mbanin edhe shamia për t'u maskuar", flet duke kujtuar ditët e tmerrit Akifi, xhaxhai i Lules. "Ata kishin të veshura uniforma të përziera - disa ishin uniforma policie dhe të tjerat ishin të Ushtrisë Jugosllave".

Disa meshkuj kishin bërë përpjekje për t'u fshehur nëpër fushat me drunj të dendur në afërsi të fshatit. Disa të tjerë ishin vrarë derisa ishin orvatur të arratiseshin. Mirëpo, shumica e familjeve ishin kapur. Militarët me shpejtësi kishin zënë edhe babain e Lules, xhaxhain e saj, Akifin dhe një kushëri.

Fshati, që e përbënte 200 shtëpi dhe rreth 700 banorë - pa numëruar këtu shqiptarët që ishin detyruar të lëshonin fshatin më herët me fillimin e luftës - kishte paraqitur gjithmonë një pikëshenjim të lehtë për 100 e ca luftëtarët serbë që kishin marrë pjesë në sulmin e 14 majit. Banorët shqiptarë nuk kishin pasur mundësi të dinë se sulmi i mëngjesit të hershëm kishte qenë pjesë e një goditjeje të zgjeruar mbi Qyshkun dhe dy fshatrat e tjera fqinje, që ishte planifikuar disa ditë më parë nga policia serbe dhe komandantët e ushtrisë, dhe se ishte aplikuar nga disa nga njësitë më elite militare të Serbisë, së bashku me disa banda famëkeqe.

Policia serbe dhe komandantët e ushtrisë u kishin dhënë secilit nga gjashtë ose shtatë njësiteve luftarake shënimet me koordinata, bashkë me nga një sektor të fshatit që duhej sulmuar dhe spastruar, bazuar nga dëshmitë e Draganit.

"Kur ne ia behëm në fshat, popullata ishte e pambrojtur. Ne shkuam shtëpi më shtëpi, duke nxjerrë njerëzit jashtë", tregon ai. "Ishim të koncentruar për vrasjen e rebelëve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Në qoftë se do të vendosnim se një mashkull do të mund të ishte pjesëtar i UÇK-së, e ekzekutonim në vend".

Të njëjtat gjëra i kujton edhe Akifi, megjithëse jo nga këndi i njëjtë i vështrimit.

"Na dërguan pranë varrezave të fshatit", thekson Akifi, një bujk 57-vjeçar, thatim dhe i hequr keq. "Ndanë meshkujt nga femrat. Ndanë meshkujt për të cilët ata mendonin se ishin në moshë për të rrokur armën dhe të luftonin. Pas kësaj ata filluan të digjnin shtëpitë dhe të shtinin buzë këmbëve tona me qëllim të frikësimit".



Vrasjet për ditën me diell

AKIFI DHE DISA NGA FQINJËT e tij kishin njohur ca nga militarët nga patrullimet që ata kishin bërë në fshat, më herët kur ata kishin bastisur shtëpitë duke gjurmuar pjesëtarët e UÇK-së dhe duke tmerruar fshatarët.

"Ata kishin ardhur edhe herë të tjera duke kërkuar armë dhe para", tregon Aliu, 35 vjeç, njëri nga meshkujt e fshatit që ia kishte dalë t'i bishtnonte sulmit të militarëve. "Dhe, ata tërë kohën na kishin përsëritur se nuk do të na bëjnë gjë, në qoftë se ne vazhdojmë të rrimë urtë dhe të mos përkrahim terroristët, siç thoshin ata".

Gjatë patrullimeve të mëparshme, serbët edhe kishin mbajtur deri diku fjalën, gjë që kishte bërë që edhe fshatarët në masë më të madhe të mos përpiqen të lëshojnë fshatin, edhe pse kjo kishte qenë diçka e pamundur nga rrethimi i tepërt.

Mirëpo... 14 maji ishte një tregim në vete.




Një banor shqiptar i Qyshkut, Akifi, demonstron se si ai së bashku me 11 persona të tjerë ishin vënë në linjë dhe qëlluar nga militarët serbë. Shtëpia ishte djegur, por ky burrë ka shpëtuar. Atë e fotografon një hetues i të drejtave të njeriut.

(Foto: Stephen Smith)
"Ishim të rreptë, biles edhe më fëmijët dhe gratë", thotë Dushani, një tjetër luftëtar serb që kishte marrë pjesë në sulmin mbi Qyshkun dhe dy fshatrat e tjerë. "Nga një shtëpi, një shqiptar doli jashtë për të na pritur me bukë dhe kripë, që është një traditë serbe për t'i uruar mirëseardhje mysafirëve. Ne u ofenduam. Prandaj, njëri nga njerëzit tanë goditi gruan e shqiptarit me pushkën e tij dhe pastaj qëlloi fëmijën e tij. Pas kësaj, atë shqiptar e morëm me vete".

Akifi bashkë me disa komshinj të tij ishte ndodhur i rrethuar. "Na ndanë, ne, meshkujt, në tri grupe dhe na çuan tutje. Ishim 12 vetë në grupin tim. Na dërguan brenda shtëpisë së një komshiut tim dhe na vënë në vijë para murit të dhomës së ditës. Pasi që na shanë, kërkuan edhe më shumë para. Por, ne tashmë u kishim dhënë të gjitha paratë që kishim".

Dragani ishte njëri nga luftëtarët serbë që kishte shoqëruar Akifin dhe të tjerët drejt shtëpisë.

"Ne i morëm 11 ose 12 meshkuj. Konkluduam se disa prej tyre i takonin UÇK-së... Ju e dini mënyrën se si ne i shtyjmë ata të flasin - së pari i marrim në pyetje dhe pastaj u vendosim grykën e pushkës në kokë. I presim me thikë, në mënyrë që të pranojnë diçka".

"Një ushtar ia behu në derë", flet Akifi me që të qetë, "dhe ai tha: 'Në emër të Serbisë të gjithë jeni të pushkatuar'. Pas kësaj, ai hapi zjarr".

Një plumb e kishte kapur Akifin në kofshë, por ai kishte shpëtuar nga kufomat e vëllait të tij dhe një komshiu, të cilat kishin rënë mbi të. Para se vrasësit të niseshin, ata kishin futur në dhomën e ekzekutimit - ku Akifi qëndronte i shtrirë dhe i plagosur, mbuluar nga kufomat e të afërmve dhe komshinjve të tij - sfungjerë të zhytur me benzinë. Sipas Draganit, zjarri ishte menduar për të humbur gjurmët, posaçërisht kufomat.

Çuditërisht, Akifi ia kishte dalur të shpëtonte.

"Derën e dhomës e kishin kapluar flakët. Për fat, ishte një dritare aty afër", tregon Akifi. Në ato çaste ai kishte menduar se më mirë do të ishte sikur të dilte jashtë e të vritej nga plumbi, se sa të qëndronte e të ngulfatej nga tymi ose të digjej i gjallë. "Unë kërceva nga dritarja dhe ika fshahurazi deri te një fushë me barë të rritur". Akifi, kishte qëndruar aty për orë të tëra dhe kishte lidhur plagën me një leckë të shqyer nga këmisha.

Asnjë mashkull tjetër nga shtëpia nuk kishte shpëtuar. 11 persona kishin gjetur vdekjen nga rrebeshet e plumbave dhe ishin djegur.

Dy grupe të tjera të meshkujve nga fshati ishin shpënë në dy shtëpi të tjera, ishin pushkatuar dhe, njësoj, u ishte vënë zjarri. Për të qenë çudia edhe më e madhe, edhe dy meshkuj të tjerë kishin shpëtuar. Secili në njërën nga shtëpitë. Edhe ata rrëfejnë se kishin dalë për t'u vrarë nga plumbi, duke i ikur flakës.

Të premten, ditë e ngrohtë me diell, më 14 maj, të vitit 1999, në një kënd të Evropës dhe nën bombat e NATO-s, 41 meshkuj nga fshati Qyshk, ishin vrarë nga forcat e kombinuara militare serbe. Mosha: nga 19 deri në 69 vjeç.

Në mëngjesin e së njëjtës ditë, forcat serbe të sigurimit kishin sulmuar edhe dy fshatra të tjerë fiqnj, Pavlan dhe Zahaq, ku kishin dëbuar nga shtëpitë gratë, fëmijët dhe pleqtë, dhe kishin vrarë në tërësi 72 njerëz.

Një grua e re ishte ndarë nga kolona e të dëbuarve që ishin urdhëruar të mbanin rrugën drejt Shqipërisë dhe, që nga ajo ditë, ajo ka mbetur pa nam e nishan.


Nga një i mbijetuar në secilin grup

TASHMË KISHIN KALUAR DY MUAJ qëkur kishte ndodhur masakra.

Nëntë luftëtarë shqiptarë, të urdhëruar nga komandanti i tyre, ngritën pushkët e tyre me bajoneta drejt qiellit të kaltër të verës dhe qëlluan tri herë në ajër. Teksa të shtënat gjëmuan në fshatin e dërmuar nga lufta në Kosovën Perëndimore, pjesëmarrësit në ceremonialin mortor, të mbledhur rreth varrit të madh, iu dorëzuan një ndenje dëshpëruese.

Për gruan me shami të zezë rreth kokës dhe fëmijët e saj që dënesnin, të shtënat nga garda e nderit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, risollën tmerrin e dy muajve më parë, kur shumica e meshkujve të fshatit ishin ekzekutuar nga skuadronet serbe të vdekjes.

Një grua, burri dhe dy bijtë e së cilës ishin vrarë, donte të hidhej dhe të mbulonte me shtatin e saj varrin, duke përsëritur me zë që të ngjethte mishtë: "Unë duhet të jem me ju".

Atë me vështirësi e ndalnin prej qëllimit kushërinjtë e saj.




Dy banorë të Qyshkut, të cilët e kanë mbijetuar sulmin e 14 majit në fshat. Që të dy kanë humbur etërit dhe vëllezërit në masakër.

(Foto: Stephen Smith)
Ceremonia e zbehtë mortore, njëra nga disa që janë mbajtur dhe mbahen në Kosovën e pasluftës, më në fund shënonte kohën kur familjet e tmerruara mund të mbledhen në mënyrë të pabezditshme për ta dhënë nderimin e fundit për të vrarët dhe të masakruarit gjakftohtësisht në shumë pjesë të Kosovës.

Akifi, i veshur me një setër të thjeshtë të zezë, këmishë të vjetër të bardhë dhe këpucë të zeza, qëndronte në mesin e pjesëmarrësve në ceremonial. Sjelljet e tij mund të mashtrojnë, ngase ato nuk shprehin dhimbjen dhe vuajtjet që ai ka përjetuar si njëri nga vetëm një dorë meshkujsh që kanë mbijetuar sulmin e rrufeshëm mbi fshat.

"Ky është vendi ku na kanë mbledhur", tregon ai, si për një gjë me të cilën është mpleksur qysh se di për vete. "Këto na tubuan para se të na ndanin, ne, meshkujve nga gratë dhe fëmijët".

I shtrirë në një rajon me ara të plleshme dhe buzë Lumit të Bardhë, Qyshku, është një fshat i vogël, i cili gjallon nën hijen e rëndë të kreshpave të larta të Bjeshkëve të Nemuna. Disa fshatin e konsiderojnë edhe si një paralagje të Pejës, qytetit vetëm dy ose tri kilometra më tutje, i cili ishte boshatisur thuaja tërësisht nga popullata shqiptare dhe pastaj ishte djegur në një masë të madhe, po ashtu.

Me ikjen e forcave serbe dhe me hyrjen në Kosovë të trupave të NATO-s, pas afro tre muaj bombardimesh nga qielli, ishin krijuar mundësitë që të hulumtohet për të vërtetën në vendin që kishte hequr të zitë e ullirit për shumë kohë.

Së bashku me NATO-n ia kishin behur edhe hetuesit nga Tribunali i OKB-së për krimet e luftës bashkë me grupet e tjera për të drejtat e njeriut. Ata tash bëjnë përpjekje për të kuptuar se çfarë, në të vërtetë ka ndodhur në Kosovë dhe kush i ka kryer vrasjet. Sipas kësaj logjike, një vend ideal për këtë punë paraqiste padyshin Qyshku.

Ndoshta edhe më parë keni dëgjuar për Fred Abrahamsin, hulumtuesin e "Human Rights Watch", një organizate joqeveritare me seli në SHBA, e cila merret me hulumtimin e krimeve të luftës, si dhe abuzimet e tjera të të drejtave të njeriut. Abrahamsi, një njohës i gjuhës shqipe, deri më tash ka kryer hulumtime të shumta në shumë pjesë të Kosovës, në Shqipëri dhe në Maqedoni, gjatë disa vjetëve të shkuar. Ai kishte parë shumë tmerre, shumë vende masakrash dhe shumë vrasje. Mirëpo, ajo që e kishte qitur Abrahamsin në rrugë të madhe gjatë ceremonisë mortore të viktimave në Qyshkut, ishte se ky fshat dallonte për një gjë nga vendet e tjera që kishte parë ai. Këtu disa njërëz që kishin parë zjarrin dhe breshërinë e plumbave që vinin në drejtim të tyre nga vrasësit serbë ia kishin dalur të mbijetonin. Rrëfimet e të mbijetuarve, si ato të Akifit dhe Lules, ishin të përqëndruara më shumë në detaje, gjë që i kishte shtyrë hulumtuesit të hyjnë më thellë në trungun e rrëfimit.

Intervistat që hulumtuesit kanë bërë me të mbijetuarit e masakrave bërë që të ngritet aktakuza nga Tribunali i Hagës kundër Slobodan Milosheviqit dhe katër bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.

Qeveritë perëndimore përllogarisin se më se 10.000 shqiptarë janë vrarë ose zhdukur, edhe pse deri më tash janë zbuluar vetëm rreth 3.000 kufoma. Në anën tjetër kanë mbetur të pahulumtuara edhe më se 500 vende të dyshuara si varreza masive.

Ndërkaq, akoma më shumë, ajo që kishte shtyrë Abrahamsin në Qyshk, ishte edhe një gjë tjetër. Militarët serbë nuk kishin qenë edhe gjithaq të kujdesshëm.

"Një gjë shumë e rëndësishme për Qyshkun", thotë Abrahamsi," është se në secilën nga tri shtëpitë ka nga një të mbijetuar. Njerëz që mund të tregojnë me saktësi se si kanë ndodhur ekzekutimet".

Ky është personi që ka dhënë urdhërat

NJË GABIM QË E KISHIN BËRË serbët kur kishin ikur dhe një gjë shumë e rëndësishme për shqiptarët dhe të tjerët të mishëruar në procesin e identifikimit të ndodhive të tmerrshme të muajve të vakuumit dhe mosdigjëjës për vendin e vogël në një cep të Evropës Juglindore, ishte ajo që vrasësit dhe urdhëruesit e vrasjeve kishin lënë pas vetes dëshmitë për ato që kishin bërë. Shqiptarët që po ktheheshin kanë gjetur dokumente ushtarake e madje edhe fotografi, në të cilat tregohen luftëtarët serbë gjatë aksioneve, në poza me armë para dhe me sfonde ku shihen shtëpitë e kapluara nga zjarri.

Këto fotografi paraqiten si burime të pazakonshme për hetuesit e krimeve të luftës - siç është Abrahamsi, për shembull - dhe një mundësi që përfundimisht të demaskojnë njerëzit që kanë qëndruar prapa vrasjeve.

Disa nga këto fotografi janë siguruar nga drejtoritë e Këshillit Komunal në qytetin e Pejës. Ato janë foto kolori, në të cilat tregohen luftëtarët serbë të armatosur gjer në dhëmbë.

"Në këto fotografi qartë mund të përfundohet se tregojnë luftëtarë vikendi, tregojnë tipat që kanë dashur të duken si Rambo", vlerëson Fred Abrahams. "Janë shumë të rëndësishme. Në to shihen serbët lokalë në poza të ndryshme militare që qëndrojnë para shtëpive në flakë, me armë automatike dhe me uniformë të plotë. Sheshazi shihet se këta individë në një mënyrë kanë qenë krenarë ose të interesuar të shfaqin armët e tyre të gjata dhe thikat e mprehta".

Këto fotografi janë përdorur nga "American Radio Works" për t'iu treguar njerëzve të mbijetuar në masakër. Ato i kanë shkuar me kujdes edhe Akifi dhe mbesa e tij 27 vjeçe, Lulja.

Me të parë fotografitë, Akifi dhe Lulja reaguan me emocion, duke drejtuar gishtërinjtë e thatë nga fotot.

"Është ai, ky është ai", Lulja filloi të dridhet dhe të zbehet taksa në çast iu kujtua se si, më 14 maj, personi i trashë dhe me flokë të zeza nga fotografia, e kishte ndarë atë nga grupi i fshatarëve të tjerë dhe e kishte kërcënuar me vrasje, në nuk do të ndiqte urdhërat që do t'ia jepte.

"Ky është i njëjti person", thotë Lulja. "Ky dhe askush tjetër. Edhe po ta shihja pas dhjetë vjetësh, prapë do ta njihja si paren e kuqe. Qeni. Ky është ai që më ka ndarë nga grupi dhe më ka kërcënuar me dhunim. Ky ka qenë komandant".

Shtatë fshatarë kanë dëshmuar se tipi me pak flokë të rëna që pozonte me aq krenari me ushkën e tij automatike të drejtuar nga fotografi, ka qenë njëri nga komandantët që kanë udhëhequr militarët gjatë ditës së sulmit mbi Qyshkun dhe dy fashtrat fqinjë. Ata dëshojnë se një luftëtarë tjetër serb e kishte thirruar atë me nofkën Burdush, që nënkupton një njeri të trashë. Fshatarët tregojnë se Burdushi kishte urdhëruar që meshkujt e paarmatosur shqiptarë të ndahen në tri grupe dhe të pushkatohen.

* * *

Kush ka qenë pra ky njeri i quajtur Burdush, i cili del të ketë dhënë urdhërat për militarët e tjerë? Dhe kush kanë qenë komandantët e tij? Çfare duhet të jetë një njeriu i cili kishte urdhëruar kryerjen e një masakre të tillë të përgjakshme dhe për çfarë qëllimi? A i mundon këta njerëz që kanë ngrehur këmbëzën vrasjet që kanë bërë mbi njerëzit e pafajshëm? A do të ketë mundësi që drejtësia t'ia del mbanë me një numër kaq të madh të masakrave, apo dhuna e llojit të këtillë ushqen veten në një rreth të pafund?

Çështje të rëndësishme flejnë jo vetëm në ngjarjet e kobshme të 14 majit, por edhe në të kaluarën e largët.

Për shumë serbë, Kosova mendohet të jetë një vend i shenjtë, i zhytur me gjakun e martirëve dhe e përjetësuar në këngët folklorike. Tokat e Kosovës kanë qenë nën Perandorinë Serbe të Mesjetës, për dy shekuj, dhe vendi legjendar ku serbët kishin humbur nga ushtria e Perandorisë Osmane, së bashku me popujt e tjerë të Ballkanit, në vendin e quajtur Fusha e Mëllenjave. Shumë luftëra, shumë dhunë dhe shumë ndryshime kanë ndodhur që nga ajo kohë.

Nga fundi i shekullit XX, Kosova ende ka qenë nën administratën serbe, por e populluar në një shumicë të madhe nga shqiptarët. Lideri serb, Slobodan Milosheviq, ka ushtruar një fushatë dhjetëvjeçare për të vendosur një apart'heid të stilit ballkanik me qëllim të forcimit të kontrollit serb mbi shqiptarët, si dhe për të forcuar pozitën e tij politike në vend. Në të njejtën kohë Milosheviqi kishte nxitur dhe udhëhequr luftërat në Kroaci dhe Bosnjë, në të cilat me qindra mija civilë janë vrarë dhe deportuar.

Në vitin 1997, një grup i fshehtë, filloi të kryente sulme mbi zyrtarët qeveritarë serbë, policët dhe kolaboracionistët shqiptarë. Kjo ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, luftëtarët e së cilës, pas disa vjet rezistence pasive, kishin vendosur që pavarësinë ta fitonin me anë të grykës së pushkës.


Kriminelët - ata e kanë vendin në Hagë

ME RRITJEN E TENSIONEVE, Milosheviqi kishte dërguar më shumë forca ushtarake dhe policore në Kosovë, duke sulmuar rajonet ku vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe vendet që ata konsideronin si të rrezikshme. Shumica e luftëtarëve të rekrutuar nga Milosheviqi në të kaluarën e tyre kishin betejat që kishin zhvilluar në dy luftërat e mëparshme, në Kroaci dhe Bosnjë. Kosova ishte ajo e treta dhe e vërteta, në nuk do të konsideronim luftë konfliktin e shkurtër me Slloveninë. Mirëpo, serbët nuk kishin luftuar vetëm kundër atyre që i quanin "terroristë të organizatës së vetëquajtur UÇK", por edhe kundër civilëve të paarmatosur dhe të pambrojtur. Për këtë janë vërtetuar dhe tashmë dëshmojnë edhe të gjithë hetuesit ndërkombëtarë që kanë punuar dhe punojnë në Kosovë. Ata janë të bindur se skuadronet serbe të vdekjes kanë vrarë dhe masakruar civilë që nuk kanë pasur kurrëfarë lidhjesh dhe UÇK-në.

Jon Cina, një analist që punon në kuadër të "Grupit Ndërkombëtar të Krizës" (ICG) - organizatë joqeveritare që mbledh shënime për krimet e luftës të kryera në Kosovë - pohon se sulmet serbe janë rritur pambarimisht shumë në krahasim me brutalitetin që kishin demonstruar në përleshjet e mëhershme më UÇK-në, në vitin 1997.

"Në qoftë se do ta krahasonit këtë me një pemë, fillimisht ata kishin dashur të krastitnin degët dhe pastaj kishin vendosur ta prenin edhe trungun", shprehet ai. "Dhe fare në fund, ata kishin vendosur që të gropojnë edhe në tokë, sheshazi me qëllimin e heqjes qafe të pemës, por që në të njëjtën kohë do të shkaktonte edhe një ferr të madh me dëmet kolaterale, siç dëshirojnë ata ta quajnë këtë".

Gjer më këtë ditë, udhëheqësia serbe dhe shumica e qytetarëve të tyre mohojnë faktin se policia dhe armata ka kryer krime në Kosovë. Ata vazhdojnë të insistojnë se lufta ka qenë një përpjekje legjitime për të thyer guerilët kundërqeveritarë, duke margjinalizuar storiet e krimeve si propagandë e NATO-s dhe UÇK-së, që bëhet me qëllimin e ekzagjerimit të "eksceseve që kanë kryer disa njësite keqbërëse".

Dennis Milner, njëri nga hetuesit kryesor në Kosovë nga Tribunali i Hagës, hedh poshtë vështrimin zyrtar të Serbisë mbi luftën.

"Pse i quajnë elemente keqbërëse?", shtron pyetjen ai. "Apo ndoshta flasin për gjithë trupat (armatën) si një element keqbërës? A është ndonjëri nga gjeneralët e tyre element keqbërës? Kjo kundërshton çdo logjikë".

Hetuesit për të drejtat e njeriut theksojnë se masakrat e sojit të asaj çfarë ka ndodhur në Qyshk dhe dy fshatrat e afërta - në të cilat forcat serbe kanë vrarë civilë të paarmatosur që nuk kishin bërë asfarë rezistence - janë shembuj të qartë për krime të luftës. Po, është e ditur se Qyshku është vendlindja e ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çekut, dhe se babai i tij është vrarë në Qyshk, më 14 maj, por disa luftëtarë serbë spikasin se ky nuk kishte qenë qëllimi kryesor i sulmit.

"Nuk ka ndonjë gjë që do të dëshmonte se Qyshku ka pasur ndonjë aktivitet të UÇK-së ose diçka të ngjashme", thotë Fred Abrahams. "Të gjithë fshatarët tregojnë se edhe pse ka pasur disa pjesëtarë nga fshati që iu kanë bashkangjitur UÇK-së për të luftuar në rajone të tjera, Qyshku gjatë gjithë luftës kishte qenë një vend i qetë".

PSE QYSHKU?

Çelësi duket se fshihet prapa identitetit të kriminelëve dhe veçanërisht prapa komandantit me nofkën Burdush. Nëpërmjet tyre mund të jetë e mundshme të mësohet kush ka planifikuar këtë operacion, dhe ç'është më e rëndësishme, pse? Asnjëri nga të mbijetuarit në Qyshk nuk dinte emrin e vërtetë të Burdushit. Por, Lulja, femra të cilën ai e kishte kërcënuar me përdhunim, thotë se askush në Qyshk nuk do të mund ta harrojë fytyrën e tij, siç nuk do të mund të harrojnë krimet që ai ka kryer.

"A i shihni këto duar?", pyet Lulja duke u rrëqethur dhe treguar duart e saja. "Me këto dy duar unë kam mbledhur eshtrat e dajëve të mi, kushërinjve dhe babait tim. Atë që kishte mbetur nga babi im, e gjeta fare në fund, por jo tërë kufomën. Vetëm disa pjesë nga trupi i tij. Nuk kam gjetur këmbët e tij ose kokën. Vetëm brinjët kam gjetur. Dhe me këto duar e kam kallur në dhe. Kurse këta serbët, këta që e kanë vrarë, ata i kanë duart e zhytura me gjak. Ata e kanë vendin në Hagë".



Zbulimi i personave pjesëmarrës në masakër

NUK ËSHTË SHUMË E ZAKONSHME të zbulohen emrat dhe fytyrat e personave që kryejnë krime gjatë kohës së luftërave. Është akoma më e pazakonshme të dëgjosh ata që kanë kryer këto krime duke rrëfyer për bëmat e tyre, përveç në rast të kapjes dhe gjykimit në gjykatore. Përgjatë dhjetë vjetëve me luftëra në ish-Jugosllavi, ka pasur një tabu virtuale për ushtarët për të folur fshehurazi rreth vrasjeve, pa marrë parasysh në kanë qenë viktimat trupa të armikut ose vetëm civilë të thjeshtë. Kjo më tepër vlen për luftëtarët serbë, të cilët shpesh veten e vëjnë në rrafshin e viktimës, në këtë mënyrë duke justifikuar aksionet e tyre kriminale si një mbrojtje kolektive të popullit.

"American Radio Works" ia ka dalur të sigurojë disa fotografi të luftëtarëve serbë, të cilat ata i kishin lënë prapa, pasi që kishin ikur nga Kosova. Në disa prej tyre tregohen militarët, duke pozuar sikur të ndodheshin në ndonjë mbledhi gjahtarësh, duke buzëqeshur mistershëm dhe duke mbajtur në dorë flamuj shqiptarë. Kur ia treguam fshatarëve këto fotografi, një njeri tjetër doli të ketë qenë së bashku me Burdushin.

Një grua shqiptare, e quajtur Albana, tregon me gisht njeriun që tregohet në fotografi, duke pohuar se ai kishte qenë në Qyshk, i veshur me uniformë të plotë ushtarake. Njeriu, për të cilin flitet, është shumë lehtë të njihet në fotografi, për shkak të njërit sy të tij gjysmë të mbyllur. Albana tregon se emri i tij është Zvonimir Cvetkoviq - Zvonko.




Garazhi shtetëror i kamionëve, i braktisur dhe i plaçkitur, ku American Radio Works ka gjetur dosjet e punëtorëve dhe fotografitë e pjesëtarit të dyshuar të forcave militare, Zvonko Cvetkoviq.

(Foto: Stephen Smith)
"E kam parë fytyrën e Zvonkos", thotë ajo duke kthyer kujtimet e 14 majit. "Kjo ka ndodhur vetëm për disa çaste. Pastaj, në sytë tanë ata morën meshkujt tanë dhe filluan të djegin shtëpitë".

Albana rrëfen se si ajo ishte rritur së bashku me Cvetkoviqin në një mëhallë në Pejë, ku ajo kishte kaluar fëmijërinë. Sipas saj, Zvonkoja kishte qenë në fshat edhe dy herë të tjera, bashkë me militarët e tjerë që kishin bastisur fshatin. "Ai më njohu mua dhe më pyeti se çfarë po bëja unë aty. Unë iu përgjigja 'Unë jetoj këtu tash'. Ai më pyeti se sa fëmijë kam. Unë kisha frikë t'i tregoja se kam një djalë dhe e gënjeva - i tashë se kam pesë vajza. pastaj, ai më pyeti në ka pasur UÇK në fshat. Unë i tashë se jo".

Dy fshatarë të tjerë kanë identifikuar Zvonko Cvetkoviq, duke thënë se ai kishte qenë në Qyshk, i veshur me uniformë ushtrie. Ata e kishin njohur Cvetkoviqin që më parë, ngase ai kishte punuar si inspektor i automjeteve, në ndërmarrjen "Pe-trans" në Pejë, ku shqiptarët thonë se ai e kishte keqpërdorur këtë vend të punës, duke marrë mito.

Për të gjetur diçka më shumë, ne shkuam në objektin e "Pe-transit", i cili në muajt pas luftës ishte lënë shkretë, ku kishte punuar dikur Cvetokoviqi. Në kabinetin ku janë mbajtur dosjet, ende kishin mbetur shumë shënime. Këtu gjetëm dosjen personale të Zvonimir Cvetkoviqit. Në këto dokumente shënohej se ai kishte lindur më 1953, kishte mbaruar të katër klasët e shkollës së mesme me notë përafërsisht mesatare 2.1 dhe se kishte një sy gjysmë të mbyllur, si pasojë e një aksidenti trafiku. Më tutje u gjetën edhe dokumentet që tregonin se ai kishte abuzuar me disa fonde të kompanisë. Por, me gjithë korruptimin e qartë të Cvetkoviqit, nuk ka ndonjë dëshmi që tregon se ai ka qenë ndonjë komandant ushtarak ose rezervist policie.

Në këtë mënyrë ne kishim vendosur t'i binin në gjurmë Zvonko Cvetkoviqit.

Shumë serbë që kanë braktisur Kosovën, gjatë bombardimeve të NATO-s dhe pas hyrjes së trupave paqeruajtëse në vend, kanë gjetur strehim në Mal të Zi, republikën "jugosllave" që ndodhet vetëm rreth një orë ngasje me veturë nga Qyshku. Pas disa javësh të gjurmimit të vendndodhjes së Cvetkoviqit, ia dolëm që të zbulojmë se ku fshihej ky kriminel i dyshuar. Ai ndodhej në Mal të Zi, në një qytezë që shtrihet vetëm 40 kilometra larg Kosovës. Na ishte thënë se jetonte në një vend të zymtë dhe të varfër, në Andrijevicë, një vend i njohur për mbështetjen e fuqishme për diktatorin serb, Slobodan Milosheviq.

Ne shkuam të paparalajmëruar në një bllok të shtëpive, me rroba që thaheshin nëpër litarë dhe me dru të prerë të renditur pranë mureve të shtëpive. Iu kishim qasur me një çik pasiguri vendit ku do të duhej gjetur njeriun që kërkonim. Në vazhdën e përpjekjeve për të kapur serbët e armatosur që shikoheshin si kërcënim për udhëheqësinë e republikës që mëton ta paraqesë veten si e moderuar, pak ditë para se të shkonim atje, policia malazeze kishte bastisur disa shtëpi në Andrijevicë, ku kishte konfiskuar pushkë automatike dhe granata.

Ndër shtëpiat e bastisura kishte qenë edhe ajo e Zvonimir Cvetkoviqit.


Kush është Zvonimir Cvetkoviq - Zvonko

PESË OSE GJASHTË SERBË ishin mbledhur rreth zjarrit në oborrin e shtëpisë ku jetonte tash i dyshuari për krime lufte, Zvonimir Cvetkoviq - Zvonko, duke ngritur dolli me gotat e vogla të mbushura me raki kumbullash dhe duke mbrehur thikat e tyre vezulluese. Ata po përgatiteshin ta prenin një derr shumë të madh. Me një shtytje të përnjëhershme ata kthejnë bishën në krah, secili prej tyre duke mbajtur nga një këmbë të tij. I pesti, ndalet për një çast mbi kokën e madhe të derrit dhe, me një lëvizje të beftë dhe të shpejtë të thikës, e pren derrin në fyt. Një curril i ku gjaku del nga gërrmazi i prerë i bishës, teksa bën përpëlitjet e fundit në jetë.

Brenda shtëpisë së vogël, përfundimisht del përpara Zvonimir Cvetkoviqi. Në dhomën ku rrinte së bashku me të shoqen, vajzat dhe balldëzat, Zvonkoja na ofron kafe dhe pranon që të flasë.

Ai është një mezoburrë 46 vjeç, me flokë të dendura që kanë filluar të thinjen dhe me njërin sy gjysmë të mbyllur, i cili i kishte mbetur në kujtesë fshatarëve të llahtarisur. Cvetokoviqi ishte mësuar të refuzonte ato që kishte parë të botoheshin në gazetat lokale në Mal të Zi - si dhe në Internet - sipas të cilave ai kishte qenë i lidhur me krimet që ishin kryer në Qyshk.

"Gjithë ajo për të cilën unë kam qenë i interesuar të bëj ka qenë që të shkoj në punë herët në mëngjes dhe të kthehem në shtëpi pasdite", thotë ai. "Kurrë nuk kam qenë në Qyshk. Kurrë nuk kam kryer shërbimin ushtarak dhe kurrë nuk kam mbajtur revole në dorë".

Me të shpjeguar se disa njerëz kishin dëshmuar se e kanë parë atë në Qyshk gjatë sulmit, ai me rrëmbim dhe nervozë qëllon me grusht tavolinën dhe thotë: "Më lejoni të ju them diçka. Në do të ishte përzier madje edhe vëllau im në diçka të tillë, unë do ta tregoja menjëherë. Ata kanë qenë qenë e jo njerëz, ata që kanë bërë këtë punë në Qyshk".

Megjithëse Cvetkoviqi ngulte këmbë vazhdimisht se kishte qëndruar larg luftës, ai dëshmonte me saktësi detaje të shumta për njësitet militare dhe për komandantët e tyre.

Si mund të dijë ai kaq shumë?

Ai nuk e tregon. Por, kjo kishte bërë që të ktheheshim prapa në Pejë dhe të flasim me shqiptarët, të cilëve, sipas fjalëve të Cvetkoviqit, do të dëshmonin se ato çfarë thotë vetë janë të vërteta.

Kështu, ne gjetëm në Pejë një familje shqiptare, të cilën, gjatë bombardimeve të NATO-s - me të filluar serbët vrasjet dhe dëbimin masiv të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre - Cvetkoviqi e kishte përcjellur në rrugën drejt Malit të Zi. Por, në bisedën me këtë familje, ne ia dolëm të kuptojmë disa detaje të tjera shumë kruciale, për të cilat Cvetkoviqi nuk kishte folur. Për shembull, familja shqiptare e tregon fare qartë dhe ngul këmbë në faktin se Cvetkoviqi i ka përcjellur ata për në Mal të Zi, por se ai në atë kohë ka qenë i veshur me uniformë ushtarake dhe se mbante me vete një pushkë automatike. Kjo binte në kundërshtim të plotë me ato që Cvetkoviqi na kishte thënë në Mal të Zi, kinse nuk kishte veshur kurrë uniformë dhe se nuk kishte mbajtur kurrë revole në dorë. Sipas kësaj del se Zvonkoja e ka ndihmuar këtë familje, ngase miku i tij i kishte pasur miq të ngushtë dhe se në të njëjtën kohë kishte larguar edhe familjen e tij në atë drejtim. Familja shqiptare tregon se ai tërë kohën e kishte qortuar mikun e tij për rrezikun në të cilin e kishte futur - rrezikun e përcjelljes së një familjeje shqiptare.

Një shqiptar tjetër, të cilin e vizituam, për të cilin Cvetkoviqi na kishte porositur ta pyesnim, po ashtu, na tregoi se e kishte parë Zvonkon vetëm disa javë para se të ndodhte masakra e Qyshkut, dhe se ai kishte pasur të veshur uniformën ushtarake dhe se kishte mbajtur një automatik. Ndërsa, e treta e vërteta, njeriu i tretë i cili do të duhej të thoshte fjalë të mira për Cvetkoviqin, ish-punëtori në kompaninë "Pe-trans", Dardani, dyshonte se Cvetkoviqi ka qenë gjithnjë në bashkëpunim me bandat ushtarake në Pejë.

"Ai gjithmonë do të vinte për të na folur", rrëfen Dardani. "Por, njëkohësisht, ai ishte më ekstremisti në mesin e punëtorëve serbë. Ndodhte që ai të thoshte: 'Duhet t'i vrasim të gjithë shqiptarët, të marrim pastaj buldozerët dhe t'i rrafshojmë fshatrat; duhet që t'i dëbojmë ata të gjithë'".

"Nuk di çfarë të them", rrudhë krahët Dardani, "ndoshta këto kanë qenë vetëm fjalë".

Pra, tashmë e kishim të qartë se Zvonimir Cvetkoviq - Zvonko ishte bashkuar me militarët për të sulmuar fshatin Qyshk - dhe sigurisht edhe dy fshatrat e tjerë - dhe që ndoshta ka qenë vetëm një ushtar i parëndësishëm gjatë operacionit. Kështu që, filluam të gjurmojmë edhe për komandantët ushtarakë, për të cilët kishin treguar Cvetkoviqi dhe shumë luftëtarë të tjerë serbë, që kishin qenë më aktivët në rajon.



Njësitet militare që kanë marrë pjesë në sulm

LUFTËTARËT SERBË QË KANË QENË në Qyshk, më 14 maj, ose ata të cilët dinin diçka për ndodhinë e tmerrshme të mesit të pranverës, dëshmojnë se sulmi ka qenë i organizuar nga grupet më elite të policisë së Serbisë, si dhe armatës dhe njësiteve paramilitare - trupa këto nën direktiva të drejtpërdrejta nga gjeneralët më të afërt të të akuzuarit për krime lufte, Slobodan Milosheviqit.

Në sulm kishin marrë pjesë edhe bandat militare, po ashtu, të cilat janë quajtur "trupat e befasisë".

Ndër njësitet serbe që kanë marrë pjesë në Qyshk, janë:

Formacioni "Frenki", një njësit komando i emëruar sipas udhëheqësit të tij Franko Simatoviq, njërit nga agjentët më të rrezikshëm dhe njëkohësisht të mistershëm, për të cilin flitet se është një komandant veteran nga lufta e Bosnjës.


Sreçko Popoviq (i dyti nga e majta) dhe Sllavisha Kastratoviq (i treti nga e majta) të fotografuar me uniforma të kamufluara bashkë me persona të paidentifikuar.
"OPG", ose "Operativna Grupa" (grupi operativ), një njësit elit i policisë serbe, pjesëtarët e të cilit me krenari kanë quajtur veten "Magla" (mjegulla), sipas gjasës se pas aksioneve të mdërmarra nuk kanë lënë ndonjë gjurmë. "OPG-ja" mësohet të ketë marrë urdhrat nga një gjeneral i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Luftëtarët nga ky grup kanë theksuar se "OPG" qëndron prapa masakrës që ka ndodhur në fillim të vitit 1999, natën ndërmjet 14 dhe 15 janarit, në Reçak, që kishte grishur pezmin e komunitetit ndërkombëtar dhe, sipas shumë analistëve, kishte qenë pika shtytëse për ndërrimin e politikës botërore kundër Serbisë, rrjedhimisht duke cytur fillimin e bombardimeve të aleancës së NATO-s.

Njësiti snajperist i Armatës së Tretë "Jugosllave", grup që theksohet të ketë qenë nën komandën e drejtpërdrejtë të kryegjeneralit të Armatës së Tretë.

Pastaj, banda paramilitare "Munja" (vetëtima). "Munja" ka qenë një mishërim i çuditshëm i policëve, kriminelëve dhe të vetëquajturve patriotë, të cilin nga serbët ishin konsideruar si legjendarë, për përleshjet e tyre që kishin zhvilluar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për sulmet e pamëshirshme mbi civilët shqiptarë.

Në mesin e 17 luftëtarëve, me të cilët u takuam në Mal të Zi, kishte qenë edhe Branko, një veteran shpatullgjërë i grupit militar "Munja", në të katërdhjetat e hershme. Branko tregon se ai ishte rritur në Pejë dhe se i ishte bashkuar grupit vetëm tre muaj para fillimit të luftës ajrore të NATO-s.

"Me t'iu bashkuar 'Munjës' më është thënë se detyra jonë do të jetë spastrimi etnik - dëbimi i njerëzve nga shtëpitë e tyre", rrëfen Branko. "Kishim edhe punë të tjera, po ashtu, jo vetëm spastrimin. Bënim arrestime, në të shumtën e rasteve, caku ynë ishin liderët e shqiptarëve dhe eliminimi i gjithë atyre që përkrahnin idenë e Kosovës së pavarur. Jo vetëm liderët e UÇK-së, por edhe shqiptarët me ndikim, intelektualët".

Autoritetet serbe një kohë të gjatë kanë refuzuar çfarëdo lidhje me paramilitarët, siç është, për shembull, grupi "Munja". Por, luftëtarët serbë ngulin këmbë se paramilitarët, përfshirë këtu edhe "Munjan", kanë qenë "njësite speciale" nën kontrollin e armatës dhe policisë. Pikërisht, njëri nga komandantët më famëkëqinj dhe më të frikshëm, Vidomir Shalipur - polici më i njohur në qytetin e Pejës për dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve - ka qenë mu një polic serb. Shalipuri është vrarë më 8 prill, 1999, nga një ushtar 17-vjeçar i UÇK-së, në pusinë e vënë në afërsi të fshatit Radac. Funerali i tij kishte qenë një ndër më të mëdhenjtë që kanë organizuar ndonjëherë serbët e Pejës, ndërkaq që kishte qenë një ndër lajmet më të gëzueshme që kishin marrë shqiptarët e qytetit perëndimor, të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë dhe ishin strehuar në vendet fqinje. Madje, edhe përkujtimorja me rastin e vdekjes së tij, tregon për lidhjen e tij me grupin, duke shkruar si shtojcë të emrit - Vidomir Shalipur - "Munja".


Urdhrat kanë ardhur nga nivelet më të larta

VRASJA E POLICIT VIDOMIR SHALIPUR, bazuar në dëshmi të shumta, kishte bërë që grupi militar "Munja" të mbetej nën drejtimin e partnerit të tij në krime, kriminelit Nebojsha Miniq. Kjo kishte qenë edhe një ndër strategjitë e luftës së Milosheviqit në Kosovë - policët dhe kriminelët të luftojnë krah për krah më njëri-tjetrin.

Nebojsha Miniq është një 38-vjeçar, i cili veten e quan "Mrtvi" (i vdekuri), nofkë që e ka marrë nga tatuja që tregon një njeri të vdekur në krahëror.

Branko, njëri nga pjesëtarët e "Munjas", rrëfen se Miniqi ka vrarë disa shqpitarë në Pejë dhe rrethinë. "Ai ishte ekstremist që nga fillimi", thotë Branko. "Ai gjithnjë ka qenë një njeri që ka jetur në tehun e shpatës. Ai ishte i mbushur plot me urrejtje ndaj shqiptarëve. Kishte bërë aktivitete kriminale së bashku me ta dhe ata e kishin tradhëtuar. Kështu që, ai ka qenë i mbushur me ndjenjën për hakmarrje. Ishte në gjendje të vriste tërë një familje, nënën, babain, ose motrën, vetëm për këtë gjë."

Isai nga Peja, ka treguar se si Nebojsha Miniq kishte dhënë urdhrin për të vrarë gjithë familjen e tij. Një natë para hyrjes së trupave të NATO-s në Pejë, pjesëtarët e grupit të Miniqit, kishin ekzekutuar shtatë pjesëtarë të familjes së Isait. Isai ia kishte dalur t'i shpëtojë vrasjes. Prej shtatë të pushkatuarve - pesë kishin qenë fëmijë.


Vidomir Shalipur (këmbë në qendër) dhe Nebojsha Miniq (këmbë, djathtas) së bashku me militarë të armatosur rëndë dhe me një flamur shqiptar të rrëmbyer
Disa dëshmitarë, si fshatarët shqiptarë ashtu edhe militarët serbë, identifikojnë Nebojsha Miniqin si njërin nga komandantët e sulmit mbi Qyshk, Pavlan dhe Zahaq, më 14 maj. Së bashku me Miniqin ishte edhe njeriu hijerëndë nga fotografitë, Burdushi, emri i vërtetë i të cilit është - Sreçko Popoviq.

Një pjesëtar tjetër i grupit "Munja", Petar, thekson se Miniqi dhe Popoviqi kanë qenë komandantë të këmbësorisë në Qyshk. Mirëpo, Petar ngul këmbë se planet për betejat dhe listat e ekzekutimit kanë ardhur nga zyrtarët e nivelit të lartë të armatës dhe policisë, të cilët edhe e kishin drejtuar operacionin.

"Ne na jepeshin listat nga komandantët e policisë për shqiptarët që ishin lojal ndaj UÇK-së ose që kishin lidhje me ta", tregon Petar. "Qëllimi ishte që të spastrohet çdo fshat. Na ishte urdhëruar që të ndanin gratë dhe fëmijët prej burrave. Ne merrnim çdo mashkull që kishte mbi 15 vjeç".

Disa luftëtarë kanë bërë të ditur për "American Radio Works" se sulmi mbi Qyshk ishte planifikuar në takimin e komandantëve të armatës dhe policisë në Pejë, më 11 maj. Një libër shënimesh, i nënshkruar nga komandanti rajonal ushtarak, koloneli ushtarak Dushan Antiq - i cili i është treguar "ARW"-së nga zyrtarët e Këshillit Komunal në Pejë - konfirmon se në Qyshk ishin dërguar trupa përforcuese, tri ditë para sulmit. Gjithashtu, disponojmë me një kopje të dokumentit, të nënshkruar nga i njëjti komandant "jugosllav" Antiq, që dëshmon për të ashtuquajturin "Shtab të krizës", ku drejtuesit serbë të ndërmarrjeve të ndryshme në qarkun e Pejës, kishin marrë detyrat përgjegjëse të dala nga gjendja e krijuar me shpalljen e gjendjes së luftës në Jugosllavi. Ky dokument mbante datën e 25 marsit, ndërkaq drejtuesit ftoheshin për të marrë detyrat në mbledhjen që do të mbahej më 1 prill, 1999. Sipas dokumentit, armata merrte mbi vete autoritetin absolut në rajon, ku përfshihet edhe fshati Qyshk.

Nga këto dokumente dhe deklarata nga luftëtarët përgënjeshtrojnë pohimet se njësitet e tyre nuk kanë qenë të involvuara në sulmet mbi civilë.

Bazuar në burimet pranë policisë serbe, listat e ekzekutimit kanë ardhur nga armata lokale dhe komandantët e policisë, duke vazhduar të ngjiten lart e më lart në zingjirin komandues. Një oficer nga një njësit elit i policisë sekrete serbe ka deklaruar se ai ka përcjellur urdhëresa të detajizuara për arrestime dhe deportime drejtpërdrejt te komandantët e policisë dhe armatës në Kosovë, në mesin e të cilëve kanë qenë edhe ato për grupin "Munja". Ai dëshmon se këto urdhëresa dilnin nga kancelaritë e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Beograd.

"Urdhri për të dëbuar me forcë shqiptarët ka ardhur nga Beogradi, nga vetë kreu", tregon oficeri i lartë i Armatës Jugosllave, i cili parapëlqen të mbetet anonim. "Ne ishim fokusuar parësisht në rajonet ku UÇK-ja kishte përkrahje, siç është Peja".

Por, ky oficer shton se ajo që kishte filluar, sipas tij, si një luftë legjitime kundër "terroristëve shqiptarë" UÇK-së, së shpejti ishte kthyer në një luftë të përgjithshme kundër civilëve shqiptarë. Ajo ishte një luftë ku secili mashkull shqiptar pak më i rritur ishte trajtuar si një terrorist potencial.

"Me të filluar sulmet ajrore", tregon oficeri, "çdo gjë u keqësua. Ne u bëmë më të varur nga militarët dhe njësitet speciale, ngase rekrutët dhe rezervistët tanë nuk po e kryenin punën si duhet. Gjithçka u kthye përmbys. Në këtë gjendje, unë isha një polic që duhej të punoja me kriminelët, në vend se t'i arrestoja ata".


Nga burgu në luftë

SHUMË MILITARË SERBË janë dërguar në Kosovë drejt e nga qelitë e burgjeve në Serbi. Disa prej këtyre militarëve që kanë luftuar në Kosovë i pranuan "American Radio Worksit" se ata ishin liruar nga vuajtja e dënimit në burg me kushtin e ardhjes për të luftuar në Kosovë.

Një nga ta është Marko, një ish i burgosur që tash jeton në Mal të Zi. Ai është një figurë tipike e njeriut nga nëntoka serbo-malaziase, një djalosh meskuloz me zixhirë prej ari të varur në qafë, syze dielli të shtrenjta dhe shortse "Bermuda". Markoja tregon se në kohën kur ishte liruar nga burgu kishte qenë duke vuajtur dënimin prej pesë vjetësh në Serbi, për shkak të një përleshjeje të armatosur. Pas lirimit, ishte stërvitur në një kamp serb policie, i ishte dhënë arma dh ishte dërguar në Pejë, për të kryer të ashtuquajturat - operacione speciale.

"Urdhërat që më jepeshin mua ishin që të arrestoja njerëzit dhe t'i fusja brenda", tregon Marko. "Pastaj, ka pasur urdhra speciale për të kapur individë të veçantë dhe për t'i sjellur ata gjallë ose vdekur. I kam likuiduar pesë a gjashtë njerëz në këtë mënyrë. Arrestonim njerëz të rëndësishëm, politikanë, funksionarë. Për çmimin e lirisë sonë ne ishim në gjendje të bënim, thjeshtë, gjithçka".

Markoja dhe disa militarë të tjerë serbë të intervistuar kanë theksuar se disa njësite janë sponsoruar nga gangsterët serbë, që kanë lidhje të ngushta me policinë sekrete të Slobodan Milosheviqit. Këta sponsorë u kanë paguar luftëtarëve shuma parashë prej 5-6 mijë markash për një muaj dhe kanë bërë aranzhimet për armët dhe municionin nga armata si kundërshpërblim për ndaljen e një pjese të madhe të pronave shqiptare.

Mrakoja tregon se punëdhënësi i tij ishte famëkeqi, Zheljko Razhnatoviq - Arkan. Arkani ishte njëkohësisht politikan - kryetar i Partisë së Bashkimit Serb (SSJ) - dhe mafioz, për të cilin në vitin 1997 ishte ngritur aktakuza nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi, për krimet që kishte kryer gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë. Aktakuza ishte shpallur botërisht, nga atëbotë kryeprokurorja Louise Arbour, gjatë muajve të bombardimeve të NATO-s mbi "Jugosllavi", në vitin 1999, kur i ishte shtuar sipas burimeve edhe dosja e krimeve në Kosovë.

Razhnatoviq është vrarë në janar të vitit 2000 në një atentat në hotelin "Interkontinental" në Beograd.

Fred Abrahams nga organizata "Human Rights Watch" beson se kriminelët e manipuluar nga shteti ishin një komponent esencial i luftës së udhëhequr nga Serbia në Kosovë.

"Ka pasur elemente të fuqishme kriminale të mishëruar në tërë zingjirin që vjen nga armata, nëpërmjet policisë e deri te paramilitarët", vlerëson Abrahams, "dhe ky është një refleksion i shtetit Serb dhe Jugosllav. Ky është një regjim gangsterësh. Po flasim për një vend që është i qeverisur nga njerëz që janë të mishëruar thellë në të gjitha sojet e aktiviteteve ilegale dhe të dyshimta. Pra, në kjo do të fillojë mu në krye, në nivelin ministror, është më se e qartë se do të arrijë edhe në nivelin e banditëve të rrugës dhe policëve lokalë".




Kriminelët nuk kënaqeshin vetëm me para...

KËTA BANDITË DHE POLICË janë dërguar me urdhrin e komandantëve nga nivelet e larta që të shplajnë Qyshkun dhe dy fshatra të tjerë. Të mbijetuarit dëshmojnë se kanë parë Nebojsha Miniqin dhe Sreçko Popoviqin - komandantët e formacionit "Munja" - të torturojnë civilët e paarmatosur dhe të terrorizojnë ata me të shtëna nga automatikët, madje edhe buzë këmbëve të fëmijëve.

"American Radio Works" ia ka treguar fotografitë e Miniqit dhe Popoviqit njërit nga të mbijetuarit në një nga dhomat e likuidimit në Qyshk, bujkut rreth katërdhjetë vjeç të quajtur Besim. Pa mëdyshjen më të vogël, ai rrëfen se i kujtohet fare qartë se Popoviqi ka dhënë urdhrin për të ndarë meshkujt shqiptarë që do të ekzekutoheshin.

"Ai qëndronte në mes dhe jepte urdhrat", kthen kujtimet për Sreçko Popoviqin, Besimi. "Ushtarët e tjerë dolën në krye të grupeve dhe na dërguan nëpër shtëpi. Gjatë gjithë kohës, ky Popoviqi, na bërtiste: 'Keni kërkuar NATO-n, tash do t'ju tregojmë ne NATO-n! Ju shqiptarët kurrë nuk do të jeni të lirë, vetëm nëse do të vrisni tërë 11 milionë serbët'".

Edhe Skënderi, një burrë tjetër i mbijetuar në masakër, identifikon Popoviqin nga fotografitë.

"Kam pasë vërejtur se mbante një kryq rreth qafës", thotë ai. "Kishte të veshur një fanellë me ngjyrë të gjelbër ushtarake. Ai ka dhënë urdhrat që të na ndanin në dy grupe dhe të na dërgonin nëpër shtëpitë...".

Në intervista të ndara, dëshmitarët theksojnë se Popoviqi nën kërcënimin e armëve ka vënë para grupin prej dhjetë meshkujsh dhe i ka dërguar në njërën shtëpi. Në këtë grup kishte qenë edhe Skënderi.

Pas disa çastesh, disa rrebeshe armësh ishin dëgjuar dhe meshkujt e vënë në vijë me shpinë nga muri ishin shembur të vrarë nga plumbat e ekzekutorit serb. Skënderi, megjithëse me disa plagë në këmbë, ia kishte dalë të shpëtonte, duke dalë nga dritarja, pak para se shtëpinë, tashmë të mbushur me kufoma, ta kaplonte zjarri.

Ndërkohë, Nebojsha Miniqi ishte duke gjuajtur ndonjë pre më të majur. Miniqi e kishte rrëmbyer Çaush Lushin, 51 vjeç, burrin e njohur si më i pasuri në Qyshk. Njerëzit e Miniqit, po ashtu, e kishin kapur të birin e Çaushit, Arianin, 21 vjeç, për të shantazhuar atë me qëllim të marrjes së çelësave të veturës. Çaushi u kishte ofruar vetë të merrnin veturën dhe disa para, duke shpresuar se serbët do të tregoheshin të mëshirshëm dhe do t'ia kursenin jetën e të birit. Dëshmitarët tregojnë se Miniqi e kishte dërguar Çaush Lushin në shtëpinë e tij.

Gruaja e Çaushit, Ajshja, kishte mbetur në mesin e grupit të femrave, derisa gjithë këto skena rrëqethëse ishin luajtur para syve të saj të mbushur me lot.

"Çaushi u solli atyre gjithë paratë që kishim", kthen kujtimet më të këqija të jetës së saj ajo. "Ai solli gjithçka vetëm për ta shpëtuar birin tonë të dëshirit. Kur ai u kthye te vendi ku na kishin grupuar, te varrezat e fshatit, pa se Arianin e tij e kishin marrë ushtarët. 'Ku e kam djalin?', ka pyetur. Dhe ata iu përgjigj gjakftohtë: 'Ti mund të kesh para, të jesh i pasur, por kjo nuk do të thotë se ne nuk do të ta vrasim djalin!'".

I biri, Ariani, i vetmi djalë në familje, ishte pushkatuar së bashku me 10 meshkuj të tjerë, disa minuta para se Çaushi të kthehej me paratë. Çaush Lushi së fundi është parë i gjallë me Nebojsha Miniqin - "Mrtvin", komandantin e "Munjas".

Një ditë më vonë, Ajshe Lushi e kishte gjetur kufomën e burrit të saj të masakruar në një nevojtore fshati.

"Ishte i shtrirë me fytyrë për tokë, derisa në të gjitha anët shihej gjaku", rrëfen ajo si e përhumbur. "Ishte shumë e vështirë të shikoje. Ishin mbledhur aq shumë miza. E kishin prerë në fyt dhe gati ia kishin prerë shuplakën fare. Ndoshta kur ia kishin vjedhur orën e shtrenjtë. Pas kësaj, kam bërtitur dhe i kam thënë: 'Çaush, të vranë edhe ty, tash nuk na ka mbetur mashkull në shtëpi. Ku e kemi birin tonë? Tash pa ty, më nuk kemi shtëpi".



"Ishim të pajisur me urrejtje kundër shqiptarëve"

TË SHTATËMBËDHJETË LUFTËTARËT serbë të intervistuar, kanë pranuar të bënin një gjë të tillë, vetëm pasi që iu kishim premtuar se nuk do t'i publikonim emrat e tyre. Thuaja, që të gjithë kanë pranuar se kanë sulmuar edhe shqiptarët civilë. Disa luftëtarë serbë kanë pranuar, po ashtu, se kanë kryer ekzekutime masive, edhe pse asnjëri prej tyre nuk ka pranuar se ka qenë i përzier në vrasjen mizore të Çaush Lushit.

Shumica e luftëtarëve theksojnë se ata i kanë bërë këto vullnetarisht, duke konsideruar një gjë të këtillë si një fushatë legjitime kundër terroristëve. Mirëpo, motivacionet e tyre të vërteta variojnë.

Vasoja është një burrë i imët, rreth 30 vjeç, i cili ka lindur dhe është rritur në Serbi. Ai ishte punësuar pasi që kishte hedhur firmën në letër për të shkuar në luftë në Kosovë. Teksa kishte parë militarët e tjerë duke vrarë gra dhe fëmijë shqiptarë, ai për një kohë ishte turbulluar. Por, Vasoja thekson se kishte vazhduar me zbatimin e urdhrave.

"Ne ishim si të pajisur me njëfarëlloj ndjenje patriotike të detyrës, posaçërisht me rritjen e intensitetit të luftës aktive", tregon Vasoja. "Ne ishim ushtarë, ne ishim sikur qenë të luftës të cilët vrasin pa u mëdyshur për këtë, pa menduar fare. Këta ishim ne. Ishim po ashtu të pajisur me urrejtje... Mendoj se gjeneralët kanë krijuar një projekt, njëfarëlloj plani, për të na mbushur me urrejtje për shqiptarët".

Luftëtarët e tjerë, veçanërisht pjesëtarët e grupeve militare, ishin të kapluar nga pasione të ndryshme dhe nuk ndjenin ndonjë keqardhje për vrasjen e civilëve shqiptarë. Me Milanin u takuam në tarracën e një kafeterie të zhurmshme. Ai është një burrë i parruar, me sy të skuqur dhe të mëdhenj. Ai ka një të kaluar kriminale, po ashtu. Milani pohon se i ka takuar grupit militar "Munja", një bande ku të vetëquajturit patriotë serbë ishin njëkohësisht edhe kidnapues të paguar nga shteti.

"Më herët, policia sekrete serbe transportonte shqiptarët në mënyrë të sigurt përtej kufirit, duke i bartur ata fshehurazi në bagazhet e veturave", tregon ai. Për këtë merrnin nga 5 mijë DEM. Me të marrë vesh për këtë djemtë nga njësiti im, filluam edhe ne të bënim një gjë të tillë. Pastaj, me të ashpërsuar më tepër bombardimet e NATO-s, nuk përpiqesha që t'ia kaloja shqiptarëve kufirin. Vetëm u merrja paratë dhe i vrisja".

Milani thotë se nuk ka marrë pjesë në sulmin mbi Qyshk. Kështu që shkojmë ta shohim një tjetër që ka marrë pjesë në masakrën e tmerrshme. Ky është Predragu. Ai ka të veshur një fanellë "Versace", xhinse të të zeza dhe gëzon një respekt të veçantë në kafeterinë që ri. Predragu ka insistuar që biseda të zhvillohet në bodrumin e një hoteli buzë detit. Gjatë gjithë bisedës rrinte i ulur në karrige, teksa, nën prapanicë mbante një revole "Magnum 44" të nikelizuar dhe të gatshme, për çfarëdo nevoje.

"Së pari, nuk jam duke biseduar me ju ngase dua ta bëj këtë", thotë ai. "Këtë e bëj vetëm se jam i mbushur. Jam i mbushur deri në fyt. Disa gjëra nuk mund t'i mbaj më brenda. Në do të dëshironit ju ose jo, duhej të punonim për policinë. Duhet të kesh para në qoftë se dëshiron të jetosh. Fabrikat nuk punonin, asgjë nuk funksiononte. Nuk kisha dëshirë të shihja njerëzit duke vdekur, nuk kisha dëshirë të shihja gjakun gjithkah rreth meje, por u mësova edhe me këtë".

Sytë e Predragut duken të lodhur dhe të shqetësuar. Nga qafa e tij rrjedh djersa. Gjëja tjetër e cila e shtyn të bisedojë është se dëshiron ta shfaqë mllefin kundër Milosheviqit, për arsyen se ai kishte braktisur Kosovën pas luftës. Kjo është një ndjenjë që ndajnë një pjesë e madhe e luftëtarëve. Predragu rrëfen edhe për mllefin e familjes së tij dhe shokëve në Serbi të cilët refuzojnë të besojnë storiet për ato që ka parë në Kosovë. Mbi të gjitha, duket sheshazi se Predragu dëshiron t'ia hapë dikujt zemrën, pa marrë parasysh se kush janë ata. Ai dëshiron të rrëfejë për tmerrin.




"Vetë i ekzekutova të gjithë... përse të harxhonim fishekët"

"VËLLA, ËSHTË E VËSHTIRË ta shikosh ndarjen e meshkujve nga familjet e tyre dhe pastaj t'i vrasësh ata", pohon Predragu, me një ndjenjë të çuditshme brenda vetes. Ai nuk e di se a është duke ndjerë keqardhje për ato që ka bërë së bashku me kolegët e tij të krimeve ose vetëm flet përqartë për të nxjerrë dufin që i është stisur brenda. Ndjenjat e tij janë të përziera.

"Nuk ka asgjë më të keqe sesa kur shikon fytyrat e nënave, motrave, fëmijëve... se si dënesin kur shohin duke iu marrë etërit ose vëllezërit".

Predragu, me të thënë këto, ndalet për një çast, merr frymë thellë dhe vazhdon:

"Një grua në Qyshk m'u qas pranë. Ishte 50 vjeçe dhe kishte gjashtë a shtatë fëmijë. Militarët ia kishin marrë burrin me vete. Ajo më ofroi 6 mijë marka në qoftë se do t'ia liroja burrin. Në sytë e saj unë pashë nënën time që lutej për jetën time. Dëshirova ta ndihmoj. Por, në do të provoja ndonjë gjë, vetëm se do ta vrisja edhe veten. Natën, tash ku bie për të fjetur, fytyra e saj më torturon".

Disa militarë serbë rrëfejnë storie të tilla. Kujtimet që i kanë marrë me vete nga Kosova, sytë e çjerrë dhe të përlotur të grave dhe fëmijëve nuk i lënë ata të qetë. Por, këtu shtrohet pyetja se si djelmoshat si këta kanë mundur të vrasin aq shumë njerëz dhe t'i vrasin ata aq metodikisht.

A ishin ata vetëm duke i ndjekur urdhrat?

Kjo pyetje iu shtrua një burri tjetër që kishte qenë në Qyshk, Draganit. Dragani është një djalë i ri që kishte kryer shërbimin ushtarak në armatën "jugosllave" dhe që iu kishte bashkëngjitur si vullnetar njësitit militar, të cilët veten e kishin quajtur "Brigada Cara Dushana", sipas carit serb të mesjetës. Dragani pa pushim ngrydh cigaren me gishtërinjtë e tij të zverdhur nga tymi, gjë që tregon nervozën e tij, teksa flet në një kafeteri për ato që kanë ndodhur në Qyshk.

Dragani pohon se pjesëtarët e grupit "Munja" dhe "OPG" kanë udhëhequr sulmin dhe se kanë hyrë në Qyshk 200 metra par njësitit të tij.

"Gjithfarë gjërash kanë ndodhur në atë fshat", thotë ai tek flet për Qyshkun. "E rrethon një djalë të rritur dhe e merr në pyetje. Pas kësaj ai fillon të qajë ose ulet në gjunjë. Zakonisht, ai do të të ofrojë para për ta liruar. Por, njësiti ynë nuk ka lejuar të bëhen këso lloj pazarllëqesh. Dhe, motivimi ynë kryesor në Qyshk ishte hakmarrja".

Dragani shpjegon se disa kolegë të tij nga njësiti militar ishin vrarë kohëve të fundit gjatë përleshjeve me UÇK-në. Kështu që, kur kishin sulmuar Qyshkun, pjesëtarët e mbijetuar kishin etje të madhe për t'u hakmarrë. Me rrjedhën e rrëfimit të Draganit për Qyshkun, detajet ngadalë shkojnë duke u përshtatur me ato që kishte dëshumar Akifi, njëri nga të mbijetuarit në Qyshk.

Dragani: "Ishin rreth 12 veta që ne vendosëm t'i marrim në pyetje. Tashmë kishim pastruar të gjithë shqiptarët nga sektori ynë, kështu që i dërguam këta meshkuj në një shtëpi të zbrazët".

Akifi: "Ata na dërguan brenda shtëpisë së një komshiu dhe na vunë në dhomën e ditës në vijë me shpinë nga muri".

Dragani: "U thamë se meshkujt nga ky fshat më herët kanë marrë pjesë në sulmet mbi ne. Për këtë arsye komandantët tanë kanë marrë vendimin për t'ju vrarë".

Akifi: "Njëri prej tyre, një ushtar i ri, erdhi te ne dhe na tha se duhet të presim derisa të bisedojë me komandantët e tij".

Dragani: "Ishte e qartë se disa prej tyre kishin qenë në UÇK. Zbuluam se disa prej tyre mbanin fanella të gjelbra në rrobat e tyre të zakonshme. Si dhe çorape të gjelbra - e gjelbër ushtarake. Ky ishte gabimi i tyre. Ne morëm hakun".

Akifi: "Nuk e di se për çka kanë biseduar. E gjithë kjo zgjati vetëm një sekondë, pastaj ai u kthye dhe tha: 'Në emër të Serbisë, të gjithë jeni të dënuar me pushkatim'".

Dragani: "U thashë se këtë po e bënim në emër të Serbisë. Vetë i ekzekutova të gjithë. Nuk më nevojitej askush tjetër. Përse të harxhonim fishekët?"

Faqja 14 nga 19
Ç'ka qenë njësiti militar "Munja"?

KUSH JANË PJESËTARËT e njësiteve serbe që kanë kryer krime në rajonin e Kosovës Perëndimore, posaçërisht në Qyshk, Pavlan dhe Zahaq? Kush i ka formuar ato? Kush i ka drejtuar ato? Cili ka qenë misioni i tyre? Këto janë pyetjet që kërkojnë përgjigje.

Më poshtë do të lexoni dëshmitë që për këto formacione i kanë dhënë vetë pjesëtarët e tyre, si dhe detajet e tjera të dala nga analizat dhe burimet militare perëndimore.

"Munja" (vëtetima) është formuar në fillim të vitit 1998, si një njësit që do t'iu kundërpërgjigjej sulmeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sa vete e shtoheshin në rrethinën e Pejës. Njësiti ishte menduar për të qenë si një krah i "Posebne Jedinice Policije (PJP)" (njësite spaciale të policisë) të Ministrisë së Punëve të Brendshme, bazuar në dëshmitë e disa luftëtarëve serbë. Munja ka pasur prej 30 deri në 50 luftëtarë dhe një numër të madh të automjeteve të blinduara, të cilat, me fillimin e bombardimeve të NATO-s, ishin strehuar në barakat e "Armatës Jugosllave" në Pejë.

Njësitet e "Munjas" kanë bartuar uniforma të njëjta të kamufluara, të njëjta me uniformat e PJP-së, ndërsa nganjëherë kanë ngjitur në krahë nga një shirit.

"Ata ishin djelmoshat të cilët shkonin në vendet ku askush tjetër nuk dëshironte", shpjegon një rezervist serb policie. "Kur këta ishin në vijën e parë, para nesh, dëmet që pësonim ishin të reduktuara në minimum. Dhe është e vërtetë, 'Munja' shkatërronte çdo gjë, dhe kur them çdo gjë, ajo edhe do të thotë mu çdo gjë".

Sikurse edhe militarët e tjerë serbë, "Munja, po ashtu, financohej nga lidhjet joformale me komandantët e policisë dhe armatës, si dhe nga qarqet e ndryshme politike. Disa luftëtarë kanë dëshmuar se ky grup ka pasur lidhje të ngushta në Pejë me anëtarët e Partisë Radikale Serbe (SRS) të Vojislav Sheshelit dhe me zyrën e prefektit të Pejës, Jovo Popoviqit.

Gjatë luftës, Jovo Popoviq ishte zëvendës i komandantit të "Shtabit të krizës" për qarkun e Pejës, i emëruar nga "Armata Jugosllave".

Një lidhje tjetër e tyre ishte edhe me shefin e policisë ushtarake në Pejë, i cili është raportuar t'u ketë dhënë "Munjas" qasje në informatat dhe operacionet në këmbim me një pjesë të vlerave të plaçkitura nga shqiptarët.

Komandant i grupit militar "Munja" ka qenë Nebojsha Miniq, një kriminel me dosje të trashë dhe me një stazh bukur të gjatë nëpër burgje. Ai veten e quante "Mrtvi" (i vdekuri). Por, sipas shumë përllogaritjeve, truri militar i këtij grupi famëkeq ishte polici i njohur serb, Vidomir Shalipuri. Shalipuri, kohë më parë, iu kishte bashkëngjitur, si polic, njësitit special të quajtur "Operativna grupa (OPG)" (grupi operativ). Sipas një burimi nga policia, ai e kishte lëshuar OPG-në për "Munjan" "për të pasur më tepër autonomi në operacione dhe për të qenë komandant". Raportohet se ndër pjesëtarët e tjerë të "Munjas" kanë qenë: Miqo Martinoviq, Gjuro Kastratoviq, Milan Kaljeviq dhe Obrad Rajiqeviq.

"Munja" kishte marrë pjesë në disa përleshje të mëdha me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në mesin e të cilave edhe një në Jabllanicë. Shalipuri, veçanërisht njihet në mesin e disa policëve të tjerë, si shumë represiv që ka rrahur dhe terrorizuar shqiptarët e qytetit të Pejës edhe para se të fillonin përleshjet e para në Kosovë dhe para se të shfaqej UÇK-ja. Sipas ditarit të një serbeje, të gjetur pasi që ajo kishte lënë shtëpinë e saj në Pejë dhe ishte strehuar në Mal të Zi, shkruan se kur nënat shqiptare kanë dashur t'i vënë në gjumë fëmijët e vet, në vend të ninullave kanë kënduar: "Flej, flej, se po vjen Shalipuri". Sipas gjitha gjasëve, pjesëtarët e grupit "Munja" kanë qenë të lidhur mes vete edhe familjarisht. Mësohet se motra e Shalipurit ka qenë e martuar me komandantin tjetër të "Munjas", Sreçko Popoviqin. Disa luftëtarë serbë kanë dëshmuar se Popoviqi, i cili vinte nga Serbia e Jugut, ka aranzhuar transportimin e vlerave të vjedhura për në Serbi.

Burimet shqiptare kanë theksuar se Popoviqi, para luftës, ka kryer punën e mbikqyrësit të punëtorëve në birrarinë e Pejës. Ai tash, siç mësohet, ka hapur një kafeteri në Novi-Sad.

Me vrasjen e Shalipurit në një pusi në afërsi të fshatit Radac, në prill të viti 1999, kishin filluar edhe ditët e vështira për "Munjan". Me vdekjen edhe të disa pjesëtarëve të tjerë të grupit, mendohet se numri i luftëtarëve ishte zvogëluar dhe se pak prej tyre kanë mbijetuar.

Por, jo të gjithë luftëtarët serbë thonë fjalë miradie për aftësitë luftarake të militarëve "Munja".

"Ata gjithmonë i kanë fëlliqur punët", thotë një polic serb, detyra e të cilit kishte qenë të furnizojë me pajisje komunikimi dhe të përcjellë urdhrat nga komanda e policisë serbe në Prishtinë te njësitet militare. "Ata kanë qenë të pakujdesshëm. Nuk kanë qenë të disiplinuar... Por, ua kemi pasur nevojën".



OPG - njësit që ka kryer masakrat në Abri, Reçak dhe në Qyshk

"GRUPI OPERATIV" (OPG) është një njësit elit antiterrorist për të cilin deri tashti nuk është ditur ose është ditur shumë pak ndër hetuesit e krimeve në Kosovë, si edhe nga organet e mediave. Sipas shumë dëshmive që ia ka dalë të mbledhë "American Radio Works", OPG-ja është formuar në Kosovë si një njësit elit antiterrorist. Bazuar në dëshmitë e disa luftëtarëve serbë, OPG-ja ka marrë pjesë në disa nga masakrat më famëkeqe në Kosovë, ndër të cilat është Abria e Ulët, Reçaku dhe Qyshku. OPG-ja është formuar nga policët më të mirë nga e gjithë Kosova, si edhe nga lokalitetet në Serbi. Sipas raportimeve, ky njësit është themeluar gjatë muajve të vonshëm të vitit 1997, ndërsa pjesëtarët e tij janë stërvitur në Serbi.

Një polic sekret i rangut të lartë ka bërë një përshkrim në detaje të këtij grupi militar: "Është paraqitur nevoja për një njësit të tillë, ngase në aksionet e fundit të njësiteve policore kundër UÇK-së, ato nuk ishin treguar edhe aq të efektshme dhe po pësonin dëme shumë të mëdha. 'Crvene beretke' (beretat e kuqe, forcat speciale të sigurimit shtetëror të Serbisë) ishin shumë të zëna për t'u inkuadruar në operacionet në pjesë të brendshme të Kosovës, ndërkaq që policia kishte nevojë për njësite që do të kryenin operacione të shpejta, të cilat do të zbatoheshin me një sekret të plotë".

"Këto njësite zakonisht kanë operauar me nga 12 ose 24 meshkuj në grup. Luftëtarët nga njësitet e tjera policore kanë pasur fare pak kontakte me OPG-në, posaçërisht në kohën para bombardimeve. Kjo ka qenë edhe arsyeja përse ata janë quajtur 'Magla' (mjegulla) - ata zhdukeshin pa lënë ndonjë gjurmë... OPG-së i ishin besuar detyra speciale, për të shkatërruar bërthamën e njësiteve armike, për të kryer sulme të befasishme dhe për të terrorizuar popullatën shqiptare. Kjo nënkupton edhe vrasjen e civilëve në rajonet e UÇK-së, me qëllim të shuarjes së çfarëdo dëshire ndër shqiptarë për të hyrë në radhët e tyre. Kështu ka ndodhur edhe ne Reçak. OPG-ja ka qenë një grup shumë i fuqishëm dhe shumë efektiv, por ata kanë marrë pjesë në shumë krime, ku kanë mbetur të vrarë shumë civilë".

Pjesëtarët e OPG-së kanë bartur uniforma të ndryshme për aksionet e ndryshme që kanë kryer, por ata ishin më së miri të njohur nga uniformat e tyre të zeza dhe për armët e tyre të prodhimit perëndimor. "Ata nuk kanë mbajtur armë ruse ose jugosllave, e dini, si ato AK-47. Ata kishin armët më bashkëkohore të NATO-s.

Ishte diçka impresive".

Pjesëtarët e OPG-së, të shumtën e rasteve kanë qenë të armatosur me pushkë automatike "Hekler-Koch". Burime nga policia serbe theksojnë se OPG-ja ka qenë nën kontrollin e drejtpërdrejtë të gjeneralit Obrad Stevanoviq, komandant i forcave të policisë speciale serbe dhe njëri nga komandantët më të rëndësishëm të Milosheviqit. Sipas të gjitha gjasave, OPG-ja ka qenë pjesë e "Specijalne Antiteroristicke Jedinice - SAJ" (Njësitet specilae antiterroriste) të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilat janë komanduar nga gjenerali Stevanoviq. E themeluar, më 1995 nga gjenerali Radovan Stjiçiq - Baxha, SAJ-i, sipas të gjithë përllogaritjeve, ka qenë njësiti më elit i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (me përjashtim të Departamentit të Sigurimit Shtetëror). Duke pasuar atentatin e kryer mbi themeluesin e këtij njësiti, Baxhën, tek ndodhej me të birin në restorantin "Mamma Mia" në një lagje të Beogradit, SAJ-i ka rekrutuar pjesëtarë të rinj në Kosovë dhe ka shtuar numrin e vet në rreth 1.000 meshkuj.

SAJ-i ka qenë posaçërisht i njohur për bartjen e uniformave të zeza, me të cilat janë dalluar nga njësitet e tjera militare që kanë vepruar në Kosovë, si edhe për armët e tyre nga Perëndimi, bazuar në dëshmi të shumta.



"Frenkit" - profesionistët e mistershëm

FORMACIONI MILITAR "FRENKI" (ose "Frenkijevci") është njëri nga njësitet më sekrete serbe që kanë luftuar në Kosovë dhe të cilët, sipas të gjitha gjasave, kanë marrë pjesë edhe në masakrën në Qyshk.

"Frenki" ka qenë pjesë e forcave speciale të sigurimit shtetëror të Serbisë, të njohur edhe si "Crvene beretke" (Beretat e kuqe), po ashtu. Emri i këtij njësiti militar rrjedh nga Franko Simatoviq, një komandant i mistershëm, i cili, siç raportohet, ka qenë koka e disa operacioneve të mëdha gjatë luftërave në Bosnjë dhe Kroaci.

Simatoviqi ka qenë i lidhur ngushtë, gjatë kohës së këtyre dy luftërave, me njësitet militare të Zhelko Razhnatoviqit - Arkanit dhe të Vojislav Sheshelit.

Gjatë luftës në Kosovë, "Frenki" ka qenë një njësit me disiplinë të lartë, që ka kryer operacionet e ashtuquajtura komando. Ata kanë qenë të njohur për armët e tyre të sofistikuara (prodhim perëndimor), radiolidhjet e veçanta dhe kapelat e gjelbra me strehë, të ngjashme me ato të kaubojëve. Zakonisht, kanë ngasur xhipa me ngjyrë të zezë ose të gjelbër, ndërsa preferonin modelin "Cherokee").

Sipas një komandanti të policisë serbe, "Frenkit" kanë përdorur emra të ndryshëm për operacione të ndryshme.

"Kanë pasur një autoritet të përgjithshëm. Ata mund të bënin çdo gjë. Kanë pasur armët për të cilat ne vetëm do të mund të ëndërronim".

Miloshi, një ish-pjesëtar i "Frenkit", thotë se ai kishte luftuar në Kroaci dhe se ishte rekrutuar nga ish-komandantët e tij.

"Kjo ka qenë një polici sekrete për likuidim dhe për operacione të nduarnduarshme", thekson ai. "Ishte diçka plotësisht ilegale - nuk ishte e shkruar në ligje ose në kushtetutë. Mirëpo, çdo shtet ka diçka të këtillë, edhe ato që pohojnë se mbrojnë të drejtat e njeriut, siç është Amerika".

"Ne shkuam në Kosovë në shkurt të vitit 1999. Ishim rreth 1.000 veta në grup. Ky numër sigurisht se është rritur me nismën e luftës, ndoshta në 1.500 njerëz. Ishin nga 20 ose 30 veta në secilin skuadron, në krye të të cilit qëndronte një komandant".

"Qëllimi ynë në fillim ishte shumë i thjeshtë, që të shkatërrojmë UÇK-në, bazat e tyre dhe shtetin e tyre ilegal... Mund të pyesni në Interpol dhe ata do t'iu thonë se çfarë lloji i bandave kriminale kanë qenë ata".

Miloshi përshkruan njësitin e tij si profesionist absolut, ndërkohë që përqesh njësitet e tjera, siç është për shembull "Munja".

"Ne ishim profesionistë. Ne nuk ishim të interesuar për të vrarë gra dhe fëmijë. Detyra jonë ishte që të vrisnim UÇK-në dhe kjo është ajo që bënim... Mendoj se një burrë që është i gatshëm të përdhunojë dhe të masakrojë civilët, dikush që mund të sulmojë një fshat vetëm për të masakruar civilë, prej cilitdo popull qoftë ai, ai person nuk i sjell lavd popullit të tij. Unë do t'i likuidoja të tillët në vend. Nuk do të kishte gjyq, vetëm ekzekutim".

Me përjashtim të bonueseve për operacionet speciale, sipas Miloshit, pjesëtarët e "Frenkit" kanë marrë paga prej rreth 8 mijë dollarësh në muaj, gjatë luftës në Kosovë.

"Kemi qenë të paguar mirë. Por, ne kemi qenë më të mirët dhe u kemi hyrë shumë rreziqeve". Ai thotë se kurrë nuk e ka parë me sy Simatoviqin. "Nuk e ka parë askush prej nesh. Ai është i këtillë".

Miloshi thotë se nuk ka qenë në Qyshk, por disa luftëtarë të tjerë pohojnë se "Frenkit" kanë qenë komandantët që kanë udhëhequr sulmin.

"Nuk kishin mundur ta qetësonin veten teksa kishte edhe ndonjë fshat shqiptar të pa pastruar", spikat një polic. "Kanë dashur të heqin qafe edhe fshatin më të fundit në rajonin e Pejës".




A do të gjykohen kriminelët e luftës nga terreni?

PRANIMI I DRAGANIT - militarit nga vazhdimet e mëparshme - se ka kryer ekzekutime masive dhe se ka marrë pjesë në deportimet në fshatin Qyshk, automatikisht e rangojnë atë në radhën e kriminelëve potencialë të luftës. Megjithëkëtë, ekspertët e drejtësisë ndërkombëtare spikasin se ai, si dhe personat që kanë bërë gjëra të ngjashme, ka gjasa të mëdha të kalojnë pa marrë dënimin e merituar. Për më tepër, Dragani dhe pjesëtarët e tjerë të grupeve militare të nivelit "tokësor", që kanë kryer masakrën në Qyshk dhe në shumë vende të tjera në Kosovë, mund edhe fare të mos çajnë kokën se do të ndiqen ndonjë ditë nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në Ish-Jugosllavi, në Hagë.

Dennis Milner, hetues i OKB-së për krime të luftës, thekson se puna e ekipit të tij do të vazhdojë të fokusohet thuaja tërësisht në rangun e lartë të regjimit të të kryeakuzuarit për krime lufte, kryetarit 'jugosllav" Slobodan Milosheviq.

"Mund të thuhet se Tribunali as që është themeluar ndonjëherë ose kurrë nuk ka pasur për qëllim të vihet pas gjykimit të akterëve të krimeve në nivelet e ulëta", thotë Milner. "Ne do të insistojmë në atë se ata në krye janë personat përgjegjës... dhe se ata, duke qenë të implikuar, kanë tërhequr këmbëzën".




Nevojtorja ku Qaush Lushi, 51, është qëlluar dhe prerë për vdekje. Hetuesit e Tribunalit të Hagës i kanë rrethuar vrimat e plumbave me shkumës.

(Foto: Stephen Smith)
Disa avokatë që angazhohen për të drejtat e njeriut kritikojnë një strategji të këtillë, ngase shumë keqbërës dhe kriminelë nga terreni mund t'ia dalin mbanë me krimet e tyre.

M. Cherif Bassiouni, ish-hetues i OKB-së për krime lufte, i cili tash ligjëron në Universitetin De Paul në Chicago, pohon se edhe individët që kanë dhënë ndonjë mbështetje për vrasësit do të mund të gjykohen.

"Ata janë njësoj përgjegjës si dhe ata që kanë qenë në terren dhe që kanë vrarë njerëzit", thekson Bassiouni. "Ky është një koncept për përgjegjësinë në grup. Nuk ka ndonjë ndryshim nëse në një bandë kriminelësh, dy vetë qëndrojnë jashtë duke bërë roje ndërkohë që dy të tjerë ndodhen brenda duke plaçkitur ose vrarë. Që të katërt janë njësoj përgjegjës për krimin".

Sido që të jetë, Bassiouni mbështet fokusimin e Tribunalit të Hagës mbi Slobodan Milosheviqin dhe bashkëpunëtorët e tij të lartë. Çështja themelore, thotë ai, nuk është në dënimin e krimeve të kaluara, por në parandalimin e krimeve të ardhshme.

"Po, personat nga terreni kryejnë krimet", thotë Bassiouni. "Por, përderisa atyre të mos i jepen urdhrat për të bërë diçka të tillë, përderisa atyre nuk i garantohet imunitet, ata nuk do të dëshironin të bëjnë këtë krye në vete. Mënyra e vetme për të parandaluar këso lloj krimesh bëhet në do të kemi për cak liderët e tyre".

Me gjithë fokusimin e Tribunalit në udhëheqësinë serbe, ekipet e hetuesve kanë bërë hetime nëpër Kosovë për të mbledhur dëshmi dhe materiale të tjera. Disa javë pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, një ekip patologësh nga policia daneze që punojnë për Tribunalit, kanë vizituar Qyshkun. Ata kanë ekshumuar kufomat të djegura ose gjysmë të djegura, që janë varrosur në një varr masiv në qendër të fshatit, te varrezat, në vendin e njëjtë ku edhe ishin tubuar nga militarët serbë, më 14 maj. Patologët danezë, po ashtu, kanë nxjerrë plumbat nga dërrasat e nevojtores ku ishte vrarë dhe masakruar Çaush Lushi.

Në qoftë se njeriu që e ka vrarë Çaush Lushin do të identifikohet, bazuar në planin e OKB-së, ai do të gjykohej në gjykatat lokale në Kosovë dhe jo në tribunalin ndërkombëtar në Holandë. Mirëpo, sistemi lokal i drejtësisë vuan nga disa pengesa. E para, të gjithë të dyshuarit për krime kanë ikur në Serbi ose në Mal të Zi. E dyta, është mungesa e policëve dhe punëtorëve të tjerë të sigurimit që do të kapnin këta të dyshuar.

Në anën tjetër, zyrtarët e administratës së OKB-së në Kosovë, nuk mbyllin sytë edhe për dhunën që është ushtruar ndaj minoriteteve serbe dhe rome në vend, pas hyrjes së NATO-s. Administrata e përkohshme në Kosovë ka përllogaritur se rreth 300 njerëz janë vrarë në Kosovë, që kur lufta ka marrë fund. Por, përkundër kësaj, ekspertët e drejtësisë theksojnë se Tribunali nuk është i gatshëm të hetojë dhunën që është ushtruar gjatë kësaj periudhe kohore, ngase me juridiksionin e OKB-së mbulohen vetëm krimet e kryera gjatë luftës.



Kush duhet të sjellë drejtësinë në vend?

ËSHTË SHUMË E VËSHTIRË të besohet se të gjithë kriminelët që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë do të gjenden prapa grilave. Ka kaluar një kohë relativisht e gjatë nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe ka pasur vetëm disa raste të arrestimit të disa të dyshuarve që kanë kryer krime lufte në Kosovë.

Kjo gjë ka filluar të brengosë shumë edhe të angazhaurit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Kjo e brengos edhe Fred Abrahamsin nga "Human Rights Watch".

"Gjykatat e kanë të vështirë të merren me hajnat e thjeshtë të xhepit e jo më me krime të luftës", thotë Abrahams. "Nuk mund të llogaritet shumë në këto gjykata. Ç'është e vërteta, kjo na vë në një pozitë të vështirë për kërkimin e drejtësisë. Unë dëshiroj të shoh kriminelët prapa grilave dhe është diçka frustruese ta dish se një gjë e tillë nuk do të ndodhë".

Sa i përket drejtësisë, një qëllim tjetër i NATO-s mbetet në pajtimin ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Në të njëjtën kohë që shqiptarët ishin mbledhur në ceremoninë e rivarrimit të viktimave të Qyshkut, në korrik të 1999-s, serbët nga fshati me të kaluar lumin, Gorazhdec, po varrosnin viktimat e tyre - një djalë të ri dhe një grua të moshuar, që ishin vrarë nga sulmues të panjohur.

Gorazhdeci është i vetmi fshat në komunën e Pejës, ku ende jetojnë pjesëtarët e minoritetit serb. Fshati tash ngjan në një oazë të rrethuar nga të gjitha anët me shqiptarët dhe ka një mbrojtje shumë të madhe nga forcat e KFOR-it. KFOR-i ka organizuar çdo javë disa autobusë, të cilët marrin serbët nga fshati, të enjten, i dërgojnë ata në Mal të Zi dhe i kthejnë prapa të premten.

Të mbijetuarit e Qyshkut shpesh kanë ngulur këmbë se disa nga militarët që i kanë sulmuar më 14 maj, kanë qenë nga fshati Gorazhdec. Ndërkaq që, me të përfunduar lufta, është aluduar se disa nga të dyshuarit për krime lufte kanë gjetur strehim në këtë fshat, gjë që nuk ka mundur të konfirmohet ndonjëherë. Forcat paqëruajtëse kanë kryer një bastisjenë këtë fshat, në fillim të vjeshtës, dhe kanë gjetur disa armë dhe municion, por nuk kanë arrestuar askë.

Flamur Kelmendi, koordinator i prokurorisë për qarkun e Pejës, që përfshin pesë komuna e edhe Qyshkun, thotë se për momentin nuk kanë mundësi të kapin të dyshuarit për krime lufte në Kosovë dhe për t'i sjellur ata para drejtësisë.

"Kjo është edhe vështirësia me të cilën përballemi", thotë Kelmendi. "Të dyshuarit për krime lufte nuk ndodhen në mesin tonë. Ata kanë ikur së bashku me forcat serbe që janë tërhequr në Mal të Zi ose në Serbi dhe dihet se ne nuk kemi ndonjë marrëveshje me organet e sigurisë nga këto vende, që do të mund të ndihmonte në kapjen dhe dorëzimin e këtyre personave".

Deri më tash në Pejë nuk është kapur dhe rrjedhimisht nuk është gjykuar asnjë kriminel lufte, edhe pse dihet se vetëm në komunën e Pejës janë më se 500 të vrarë gjatë kohës së luftës.

"Ne jemi të gatshëm të veprojmë në këtë drejtim, por na nevojitet ndihma", thekson prokurori Kelmendi.

Në anën tjetër, një punë të palodhur në mbledhjen e materialeve për krime - përfshirë këtu dëshmitë e të mbijetuarve, ekzaminimin e kufomave, identifikimin e tyre, identifikimin e kriminelëve dhe mbledhjen e të dhënave për ta e deri te fotografitë e këtyre keqbërësve - ka bërë edhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, dega në Pejë.

"Besojmë të jetë një punë me shumë dobi kjo që kemi bërë dhe të gjithë ato që ia kemi dalë të mbledhim do t'ia dorëzojmë Tribunalit të Hagës", thotë Tahir Demaj, kryetar i këtij këshilli. "Materialet do t'ia dorëzojmë edhe prokurorit të qarkut. I mbetet pastaj Tribunalit dhe gjykatave lokale të merren me këto çështje".

Të mbijeturit theksojnë se zvarritjet në kapjen e atyre që i kanë marrë më të dashurit dhe që u kanë shkaktuar dëme të tjera, vetëm sa iu shtojnë dhimbjen, por ata dëshirojnë të besojnë se diçka do të bëhet për të kthyer drejtësinë në vend.

"Në mos nuk do të bëhet asgjë, nuk mbetet tjetër, vetëm që drejtësinë ta ndajë vetë", thotë Aliu, vëllai dhe babai i të cilit i janë vrarë në masakrën në Qyshk. "Njëherë do të më kërcet filmi dhe..."






"Na duhet drejtësia sikurse plagës ilaqi"

SHIRAT DHE I FTOHTI, që paralajmëronin një dimër të vështirë, e kishin zënë Akifin, bujkun që ka mbijetuar masakrën e tmerrshme, duke bartur materialin për t'i vënë kulmin shtëpisë së tij të djegur.

Tash edhe ajo ka kaluar.

Akifin, në vizitën tonë të fundit në Qyshk, e gjetëm të strehuar në shtallën, ku dikur kishte mbajtur lopët. Ajo tash ishte adoptuar si një shtëpi e vogël.





"Jetohet...", thotë shkurt Akifi, i thjeshtë si gjithnjë, pa dashur të ankohet.

Ne ia kemi dalur të zbulojmë se kush ka qëlluar mbi Akifin dhe 10 meshkujt e tjerë, të cilët kishin dhënë shpirt pranë tij. Ne kemi zbuluar se kush ka udhëhequr sulmin mbi Qyshk dhe zingjirin komandues që ka qenë prapa në organizim. Ne kemi zbuluar se luftëtarët serbë kanë qenë të motivuar nga hakmarrja, lakmia, detyra dhe frika.

Mbetet vetëm çështja e kohës! Pse sulmi ka ndodhur mu më 14 maj dhe jo më herët gjatë luftës? Vetëm komandatët e policisë dhe armatës së Milosheviqit e dinë përgjigjen.

Një mundësi: emri i Qyshkut më në fund kishte dalë në krye të listës së caqeve.

Plagët nga plumbat në trupin e Akifit tashmë janë shëruar dhe ai bën përpjekje, bashkë me ndonjë organizatë humanitare, të rindërtojë shtëpinë. Akifi beson se Perëndimi edhe do të sjellë drejtësinë në vend. "Jam thellë i bindur se ata do të përgjigjen në Hagë", thotë ai për kriminelët që kanë kryer masakrën në Qyshk. "Ata që janë fajtorë, ata që kanë duart e zhytura me gjak, ata do të dënohen".

Të mbijetuarit e tjerë, përfshirë këtu edhe Aliun, mësuesin 35 vjeç nga Qyshku, ngulin këmbë në teorinë për pasojat që mund të sjellin moskapja dhe dënimi i ekzekutuesve dhe komandantëve.

"Na duhet drejtësia sikurse plagës që i duhet ilaqi", thekson ai. "Në do ta leni plagën të hapur, në nuk do ta mbyllni atë, ajo kurrë nuk do të shërohet".

Aliu frikësohet se urrejtja do të vazhdojë edhe për një gjeneratë.

Lulja, 27-vjeçarja që ka mbijetuar masakrën dhe që ka varrosur eshtrat e babait dhe të shumë të tjerëve në varrezat e fshatit, rrëfen storien për vajzën 3 vjeçe, babai i së cilës është vrarë në masakër, po ashtu:

Për çdo të lumen ditë, e bija kërkon t'et. Ajo pyet nënën e saj: "Ku është babi?". Nëna i përgjigjet: "Dil jashtë dhe vetëm thirre tri herë emrin e tij. Ai do të vjen shpejtë".

Vajza e vogël i thotë secilit se babai i saj ka shkuar në Gjermani për t'ia blerë një biçikletë.

Një ditë ajo kishte shkuar me nënën e saj te varrezat e fshatit për të kuptuar se ç'kishte ndodhur vërtetë. Vajza e vogël e kishte pyetur nënën: "A është ky vendi ku e kam babin?"

Dhe nëna ishte dorëzuar: "Po, babain e ke të varrosur këtu".

Vajza kishte filluar të qajë dhe kishte thënë: "Këtu e kam babin që ma kanë vrarë banditët dhe serbët". Pas kësaj ajo kishte filluar të gropojë me duar varrin, duke thirrur: "Ta nxjerrim babin prej këtu dhe ta çojmë në spital... ndoshta do të shërohet".



______________
Militia members pose in front of burning buildings with a captured Albanian flag. Standing second from right is Srecko Popovic. Kneeling in the foreground is militia commander Vidomir Salipur.


Unidentified men, apparently militia members, pose with their weapons in front of a wall in Pec spray painted with the word "Serbia."



Two unidentified young men, apparently from Pec, pose in their paramilitary gear.



Three of these men were identified by villagers in Zahac as being responsible for the killings of four unarmed Albanian civilians, a disabled man, a woman and two girls on June 10, 1999. Witnesses and neighbors identified the men as three brothers and a cousin: Mica and Laza Markovic (first and second from left) and Sasa Markovic, right. The other man's name is not known. Witnesses in Zahac said Sasa Markovic committed the four murders.



One of the slain villagers of Cuska, Ibish Gashi, 60


A party of Serb militia fighters stand in front of a captured Albanian flag. Among the most notorious militia commanders in Pec were Vidomir Salipur (center, standing) and Nebjosa Minic (standing, right). Minic called himself, Mrtvi, Serbian for "The Dead." In the lower left is Milan Kaljevic.



Srecko Popovic (center) and Milan Kaljevic, with gun. Kaljevic's nickname was said to be "Rambo." Both Serbian militia members and Albanians from Pec said Kaljevic was a close associate of the notorious local policeman, Vidomir Salipur.



Serbian militia members Srecko Popovic (second from left) and Slavisa Kastrotovic (to his right) were identified by multiple witnesses as having been part of the armed unit that attacked Cuska on May 14th.


Serb militia member Srecko Popovic poses in front of a burning structure. Popovic was identified by numerous witnesses to the massacres in Cuska and Zahac. Some villagers described him as a commander. One woman said Popovic threatened to rape her. Fellow Serb militia members said Popovic had a reputation for committing rapes and robberies in the Pec area before the war.